Seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë nisi me debate mes deputetëve të PD dhe PS, ku opozita kritikoi kalendarin e punimeve dhe trajtimin e iniciativave legjislative.

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka akuzuar kryetaren e Kuvendit Elisa Spiropali se nuk mblodhi Kuvendin të enjten e kaluar me justifikimin, sipas tij, se ishte për vizitë në Ukrainë, në punimet e Samitit të Europës Juglindore.  Ai shtoi se kryeparlamentarja ka qenë në Greqi për të ngrënë drekë.

Nga ana tjetër, kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali u shpreh se seanca plenare e së enjtes nuk u mblodh pasi nuk ishin të pranishëm shumë deputetë, jo për shkak të mungesës së saj, që do të ishte lehtësisht e zëvendësueshme, shtoi ajo, nga dy nënkryetarët Bledi Çuçi dhe Agron Gjekmarkaj. Me ironi ajo ftoi Bardhin që ta ndjekë në rrjetet sociale ku kryeparlamentarja pasqyron aktivitetet e saj politike.

Debati:

Gazment Bardhi: Na thatë keni një angazhim shumë të rëndësishëm në Ukrainë, por të enjten nuk ishit në Ukrainë por në Greqi. Ta trajtosh Kuvendin si shtëpinë tënde personale për të ngrenë drekë në Greqi, arrogancë përtej normales. Ne nuk kemi dhënë miratimin për kalendarin. Mbani të kyçur në sirtar 60 nisma të Kuvendit. Sipas Kushtetutës, çdo deputet një nga përgjegjësitë e tij kryesore ka propozimin e nismave legjislative. Ju trajtoni me prioritet çdo nismë të Këshillit të Ministrave, por nuk trajtoni ato të deputetëve, kryesisht ato të opozitës. Vetëm 3 javë nga mbyllja e Kuvendit, nuk kemi ende një planifikim se kur do të shqyrtohen në seancë iniciativat e deputetëve.
Kërkoj të planizoni se kur iniciativat tona që kanë të bëjnë me interesin e qytetarëve, si minimumi jetik, rritja e pensioneve, ligji për kontrollin e investimeve në Shqipëri, do të shqyrtohen.

Elisa Spiropali: “Më vjen mirë që më ndiqni hap pas hapi, z.Bardhi, në aktivitetin tim në rrjetet sociale, por po ju informoj që, siç diskutuam në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve të datës 9 qershor, seanca nga data 12 në datën 16 qershor nuk u shty për arsye të pjesëmarrjes sime në Samitin “Evropë Juglindore-Ukrainë”, por sepse shumë deputetë mungonin për shkak të pjesëmarrjes në aktivitete të tjera. Ishte lehtësisht e zëvendësueshme prezenca ime këtu me dy nënkryetarët e nderuar, z.Çuci e z.Gjekmarkaj, por në bazë të nenit 7, pika 1 të Rregullores, Kryetari i Kuvendit, ka për detyrë të kujdeset për mbarëvajtjen e seancave plenare dhe që veprimtaria të jetë e plotë dhe të sigurojë kushte që të gjithë deputetët të jenë pjesëmarrës në seancë.

Unë nxorra urdhrin për këtë seancë plenare me vështirësi, t’iu them të drejtën, sepse ka vetëm 1 pikë, 1 çështje në rend të ditës sot, një projektligj, komisionet as ishin mbledhur dhe nuk kishin kourumin e nevojshëm për të diskutuar projektligje të tjera. Mund të mos ishte zhvilluar as kjo seancë sot, kështu që ju bëj thirrje të gjithë deputetëve të marrin në pjesë në komisione dhe të jenë pjesëmarrës aktivë. Sa i takon pjesëmarrjes së Shqipërisë në Samitin e organizuar nga Presidenti Zelenskyy në Odesa, në Ukrainë, me pjesëmarrjen e krerëve të shteteve dhe qeverive të Europës Juglindore, mos kini asnjë merak. Shqipëria u përfaqësua në nivelin më të lartë dhe më të mirë të mundshëm z.Bardhi, dhe këtë e them pa modesti fare.

Kështu që vazhdoni më ndiqni në rrjetet sociale.”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb